Nurellari: Dikur Kurti ishte i gatshëm ta shkatërronte Prishtinën me molotov, sot as nuk e qorton Rakiqin

21.08.2021 19:18

Nurellari: Dikur Kurti ishte i gatshëm ta shkatërronte Prishtinën me molotov, sot as nuk e qorton Rakiqin

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Ardi Nurellari, ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, pasi që kreu i qeverisë ende nuk ka bërë asnjë deklaratë apo nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me pjesëmarrjen e ministrit Goran Raki në vënien e gurthemelit për ndërtimin e Universitetin e Prishtinës në Mitrovicë.

Nurellari tha se ky ishte një akt i rëndë dhe sfidues ndaj sovranitetit dhe integritetit të Kosovës duke e kthyer vendin një dekadë prapa.

“Kur ishte në opozitë Kurti sillej si luan përkundrejt Listës Serbe e tani që është në pushtet po sillet si lepur. Këtë gjë e dëshmon më së miri sjellja agresive e dhunshme e para gjashtë viteve kundër një fjale të përdorur nga Jabllanoviq ndërkohë që sot po hesht për një akt konkret të Rakiqit”, shkroi Nurellari në llogarinë e tij në Facebook.

Më tej, ai ka kujtuar protestën e 6 janarit të vitit 2015 kur asokohe Lëvizja Vetëvendosje dhe Shoqata “Thirrjet e Nënave” kanë penguar autobusin që ka sjellur pelegrinët serb për të homazhe në kishën ortodoke të Gjakovës me rastin e Krishtlindjeve ortodoske.

“Aleksandar Jabllanoviq, ministër në qeverinë e Kosovës për kthim dhe komunitete, asokohe deklaroi tesktualisht se“Kjo është festë e shenjtë dhe e madhe. Egërsirat që i parandaluan serbët për të ardhur në shtëpitë e tyre të djegura, nuk do t’i shërbejnë askujt. Ne do të kërkojmë llogari nga ministri i Brendshëm për këtë që ndodhi””

“Për këtë deklaratë Lëvizja Vetëvendosje organizoi një seri protestash të dhunshme për kërkimin e dorëheqjes së Jabllanoviqit gjatë të cilave u lënduan me dhjetëra policë dhe pati një kosto të madhe materiale të pronës publike e private. Si përfundim Jabllanoviq u detyrua të kërkojë ndjesë dhe po ashtu kryeministri Isa Mustafa e shkarkoi nga detyra”, shkroi Nurellari.

Ai thotë se Kurti para gjashtë vjetësh ishte i gatshëm ta shkatërronte Prishtinën me molotov e gurë, për një fjalë të Jabllanoviq që tha për aktivistët e VV-së asokohe.

“Sot që është në pushtet nuk ka kurajo as për një qortim e jo më për shkarkim ndaj Rakiqit, për një akt shumë më të rëndë e të dëmshëm për Kosovën sesa fjala e thënë prej Jabllanoviqit”, tha ai.

x