Përlotet qytetari nga Vushtrria, tregon për vërshimet dhe dëmet e shkaktuara

15.01.2021 09:05

Përlotet qytetari nga Vushtrria, tregon për vërshimet dhe dëmet e shkaktuara

Qytetari nga Komuna e Vushtrrisë, Ragip Bunjaku është kapluar nga emocionet sot gjatë transmetimit LIVE të emisionit “Mëngjesi me Arben Ahmetin” nga Kanal 10.

Ekipi i Kanal 10 ka vizituar familjen e Bunjakut për të parë nga afër dëmet që iu janë shkaktuar nga vërshimet si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

Aty kanë biseduar më detajisht edhe me nipin e Ragip Bunjakut, Ylberin i cili ka rrëfyer detaje nga nata kur kishin ndodhur vërshimet.

“Ka qenë diku ora rreth 3:50 dhe kam qenë tek stalla me dy vëllezërit që janë më të vegjël në moshë. Në momentin kur e kam parë ujin, kam parë që valët po vijnë nga lumi Sitnica dhe i kam zgjuar dy vëllezërit. Menjëherë e kam telefonuar edhe mixhën e jemi munduar të afrohemi tek dhentë por ka qenë e pamundur pasi që uji na rrëzonte”, ka rrëfyer ndër të tjerash Ylberi, transmeton Portali.info.

Ai ka thënë se kanë telefonuar edhe Policinë e Kosovës të cilët i ka falënderuar për mundin sipas kapaciteteve të tyre, ndërsa ka thënë se ndihma e largimit nga vendi i ngjarjes ka ardhur nga trupat e FSK-së të cilët kishin ardhur me anije për t’i evakuuar banorët.

“Dëmet janë të mëdha, diku rreth 120 krerë të deleve kanë ngordhur e ne e mbajmë të gjithë familjen me këto. Ende nuk i kemi larguar nga stalla deri sa të vijë komisioni dhe në momentin që i regjistrojnë dëmet, ne i largojmë pa problem. Për momentin lutem të kemi ndihma nga komuna e shteti, pasi që jemi në borxhe e kredi dhe nuk e di si do të vazhdojmë tutje”, ka thënë djaloshi i ri. /PORTALI.info


x