Premier League kthehet me betejën e madhe Liverpool-Arsenal

18.11.2021 20:52

Premier League kthehet me betejën e madhe Liverpool-Arsenal

Pas pushimit të kombëtareve, Premier League rikthehet me një ndeshje të madhe. Të shtunën në 18:30 është në program një klasike e madhe e futbollit anglez, pasi në “Anfield Road” luhet Liverpool- Arsenal. Një sfidë sugjestionuese, por edhe shumë e rëndësishme për klasifikimin.

“Topçinjtë” në rritje me Mikel Artetën, janë në vendin e pestë me 20 pikë, ndërsa “të kuqtë” janë para në kuotën e 22 pikëve. Jurgen Klopp do të mbajë hapin e kryesuesve me Chelsean që ka 26 pikë, por londinezët nga ana e tyre kërkojnë të konfirmojnë momentin e shkëlqyer në të cilin ndodhen në një transfertë drithërimash.

Liverpool humbi në javën e fundit të Premier League para pauzës. Në “London Stadium” erdhi disfata 3-2 përballë West Ham, që kaloi në avantazh falë autogolit të Alisson, si dhe shënoi me Pablo fornals dhe Kurt Zouma pas barazimit të Trent Alexander-Arnold.

Të gjitha 3 disfatat e fundit të Liverpulit në Premier League kanë ardhur kundër skuadrave londineze. Duke marrë parasysh edhe barazimin në shtëpi me Brighton, Liverpool nuk fiton në kampionat që nga ai sukses i bujshëm 5-0 në fushën e Manchester United në 24 tetor.

Arsenali vjen në formë të shkëlqyer. Skuadra me të rinj e Mikel Artetas duket se po merr frytet e një pune të nisur kohë më parë. Në Premier League janë 3 fitoret radhazi, kundër Aston Villa-s, Leicester dhe Watford, duke marrë në konsideratë edhe suksesin 2-0 kundër Leeds në Kupën e Ligës, fitoret radhazi janë 4.

Për të gjetur disfatën e fundit të “topçinjve” duhet kthyer pas në 28 gusht, kur mundeshin 5-0 nga Manchester City në kampionat. Arsenali është skuadra me serinë më të gjatë të ndeshjeve pa humbje në Premier League. Skuadra e Artetas ja ka dalë të ruajë portën e paprekur në 6 nga 9 transfertat e fundit në kampionat dhe tani është para provës Anfield.

Liverpooli është i pamposhtur në shtëpi prej 9 ndeshjesh në Premier League por në dy takimet e fundit është rikuperuar në barazim 2-2. Londinezët ndërkohë kanë fituar vetëm 1 nga 11 sfidat kundër Liverpulit që kur në drejtimin e të kuqve është Jurgen Klopp.

x