Prokuroria e Pejës: Kemi identifikuar personat që shihen në fotografi, do të verifikohet nëse kanë lidhje me rastin në Deçan

17.07.2021 16:30

Prokuroria e Pejës: Kemi identifikuar personat që shihen në fotografi, do të verifikohet nëse kanë lidhje me rastin në Deçan

Pas helmimit të mbi 1,500 qytetarëve të komunës së Deçanit, Prokuroria Themelore në Pejë njofton se së bashku AKI-në dhe Policinë kanë bërë identifikimin e dy personave të nacionalitetit serb, të cilët janë parë duke lëvizur në drejtim të Manastirit të Deçanit.

Siç njofton prokuroria, transmeton Gazeta Express, të njëjtit do të verifikohet nëse kanë lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:  

Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se, lidhur me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit, pasi janë pranuar informata se para disa ditësh janë parë duke lëvizur në drejtim të Manastirit të Deçanit, dy persona të nacionalitetit serb, menjëherë janë ndërmarrë veprime me autorizimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë, ashtu që është bërë identifikimi i personave që shihen në ato fotografi dhe do të verifikohet nëse kanë lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit.​

Ndryshe, sot u bë e ditur për arrestimin e përgjegjësit për kamerat e sigurisë te Gryka e Deçanit, pasi që u vërtetua që kamerat ishin jo funksionale tash e dy muaj në këtë zonë.

Arrestimi vie pasi mbi 1500 persona në Deçan shfaqën simptoma të helmimit që nga data 10 korrik.

Sipas testimeve të fundit të bëra nga Instituti i Shëndetit Publik doli që një pjesë e ujit të pijes nga ujësjellësi “Hidrodrini” është i kontaminuar me baktere.

x