PS merr 74 mandate, ja si renditen PD dhe LSI! Vetëm në Tiranë vijon numërimi

27.04.2021 21:57

PS merr 74 mandate, ja si renditen PD dhe LSI! Vetëm në Tiranë vijon numërimi

Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare 2021 ka përfunduar në 10 qarqe.

Partia Demokratike ka triumfuar në Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës, kurse PS në Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Berat.

Vetëm në 2 qarqe vijon ende numërimi, në Tiranë dhe Durrës. Në qarkun e Durrësit kanë ngelur edhe 13 qendra votimi për t’u numëruar, ndërsa në Tiranë ka edhe 128 qendra, që pritet të japin rezultatin.

Procesi i numërimit ka vijuar i qetë, përveç një incidenti të ndodhur një ditë me parë në shkollën “1 Maji” në Tiranë, ku policia shoqëroi 8 persona.

Në të gjithë vendin, deri më tani PS kryeson me 738,820 vota, e pasuar nga PD-AN me 598,641, LSI deri më tani ka marrë 104,106 vota, kurse PSD 34,328 vota.

PS ka 74 mandate, ndërsa PD 59 mandate, LSI 4 dhe PSD 3 mandate. Nga 5198 qendra votimi deri më tani janë numëruar 5056, pra ngelen vetëm 142 për të nxjerrë rezultatin.

Deri më tani nga votat e numëruara kanë rezultuar 73899 të pavlefshme.

x