Qeveria kërkon dëshmi të vaksinimit, në sallën “1 Tetori” nuk shihet rritje e interesimit nga qytetarët

13.08.2021 13:09

Qeveria kërkon dëshmi të vaksinimit, në sallën “1 Tetori” nuk shihet rritje e interesimit nga qytetarët

Të premten në mesditë, në sallën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë, nuk është parë fluks i qytetarëve për të marrë vaksinën kundër Coronavirusit,

Qeveria të enjten miratoi masat e reja, ku kërkohet dëshmia për vaksinim kundër Coronavirusit për të hyrë në klube të natës, dasma dhe ahengje tjera familjare.

Njëri nga të moshuarit Ismail Osmani, tha se masat e marra nga ana e qeverisë janë shumë të mira pasi sipas tij të gjithë duhet të vaksinohen.

“Kam marrë dozën e dytë, nuk kam pasur ndonjë problem, masat janë shumë të drejta dhe në përgjithësi gjithçka po shkon në rregull dhe nuk kemi pritur shumë”, tha Osmani.

Qytetari tjetër, Astrit Hamiti, 32 vjeçar, tha se sapo ka marrë dozën e dytë të vaksinës, dhe se të gjithë qytetarët duhet me u vetëdijesua e të marrin vaksinën për ruajtjen e shëndetit publik.

“Sapo kam marrë dozën e dytë të vaksinës, masat e reja janë në rregull pasi të gjithë qytetarët duhet të vaksinohen dhe të ruajmë shëndetin publik, në përgjithësi rregullat janë në rregull”, tha Hamiti.

Tutje, qytetarja Naile Osmani, tha se mirë kanë shkuar dozat e vaksinimit, duke apeluar tek të gjithë që të vaksinohen.

“Dy dozat i mora, apeloj tek të gjithë që të vaksinohen, masat e qeverisë janë shumë të drejta dhe duhet të vaksinohemi pasi së pari ruajmë shëndetin tonë dhe shëndetin e të tjerëve”, tha Osmani.

Ndërsa, Koordinatori i kësaj Qendre, Niman Bardhi, nuk është prononcuar për medie për të dhënë informata me gjendjen në këtë sallë.Ndryshe, masat e reja do të hynë në fuqi nga data 20 gusht deri më 10 shtator.

Sipas masave, në mungesë të dëshmisë për vaksinim, duhet të prezantohet testi negativ në Coronavirus, jo më i vjetër se 72 orë, testi antigjen jo më i vjetër se 48 orë, ose dëshmia për tejkalim të Coronavirusit brenda 180 ditëve.

x