Real frikë nga PSG? Madrilenët kanë gati ankesën në UEFA

13.12.2021 17:42

Real frikë nga PSG? Madrilenët kanë gati ankesën në UEFA

Shorti i Champions League ditën e sotme solli shumë pështjellim te klubet pjesëmarrëse duke qenë se u hodh dy herë, ashtu siç nuk kishte ndodhur kurrë. Kjo sepse shorti i parë në orën 13:00, rezultoi i pavlefshëm si pasojë e një gabimi teknik të sistemit, teksa ngatërresa u bë me Manchester United.

Fillimisht, Djajtë e Kuq u vendosën përballë Villareal, por që ishte e pamundur të luhej duke qenë se të dyja skuadrat ishin pjesë e të njëjtit grup. Ndërsa, më pas sërish United bëhet protagonist me anglezët që në këtë rast hiqen si kundërshtarë të mundshëm të Atletico Madrid, teksa nuk kishte asnjë arsye për ta bërë këtë. Në këtë formë, gjithçka u anulua, ndërsa krijoi pakënaqësi të klubet e tjera.

Një nga ato që mund të bëjnë një ankimim në UEFA në lidhje me episodin e sotëm është Real Madrid. Los Blancos pretendojnë se ngatërresa me Manchester United nuk kishte të bënte me ta, pasi kjo ndodhi në një moment kur Reali e kishte mësuar kundërshtarin e tij.

Kujtojmë, se në shortin e parë, madrilenët kishin një kundërshtar të lehtë në letër si Benfica, ndërsa në shortin e dytë, “peshkuan” një prej favoriteve për të fituar këtë kompeticion, PSG. Tashmë, mbetet për t’u parë edhe vendimin që mund të marrë UEFA në lidhje me këtë rast, edhe pse duket e vështirë që të lejojë spanjollët të luajnë me kundërshtarin e shortit të parë.

x