Reja: Moment i vështirë, objektivat nuk kanë ndryshuar

03.10.2020 15:56

Reja: Moment i vështirë, objektivat nuk kanë ndryshuar

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja ka dalë sot në një konferencën për mediat, ku ka shpallur listën e futbollistëve të grumbulluar për tre ndeshjet e muajit tetor. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, trajneri Reja shpjegoi zgjedhjet e tij në prag të ndeshjeve që përfaqësuesja ynë do të zhvillojë.

Drejtuesi i stolit kuqezi foli për problematikat që vazhdon të shkaktojë pandemia covid-19, objektivat e skuadrës, për mungesën e disa prej lojtarëve me eksperiencë, për emrat e rinj në skuadër dhe për projektin e “skuadrës 2024”.

Ekipi ynë kombëtar do të zhvillojë një ndeshje miqësore kundër Armenisë në 7 tetor dhe dy ndeshje të tjera zyrtare, të vlefshme për Ligën e Kombeve, kundër Kazakistanit në datën 11 tetor dhe kundër Lituanisë në datën 14 tetor. Të treja ndeshjet do të zhvillohen në transfertë.

– Përshëndetje Mister, mirë se u rikthyet. Pyetja që bëjmë të gjithë në këto momente është mungesa e pesë senatorëve. Mund të na sqaroni se çfarë ka ndodhur realisht dhe pse është marrë ky vendim? Dhe pyetja e dytë, jeni i kënaqur që do të luhet në një vend si Armenia ku aktualisht po luftohet?

– Po jetojmë një moment të veçantë sidomos për shkak të pandemisë, gjërat bëhen shumë të vështira për skuadrën dhe për ne. Jam në kontakte vazhdimisht me klubet, është ky problem që ne konsiderohemi si zona të kuqe apo shkojmë në vende të ndryshme dhe është shumë e vështirë për klubet që t’i lënë lojtarët të lirë, sepse realisht kanë frikë. Unë mund t’ju tregoj rastin e Napolit që më kanë kontaktuar dhe më kanë thënë që të mos e marr Hysaj për shkak se edhe te Napoli është një situatë, ku shumë lojtarë kanë dalë pozitivë me Covid dhe më kanë kërkuar që të mos e marr lojtarin për këto ndeshje. Kështu që jemi në një situatë shumë të vështirë, qoftë nga pandemia, qoftë edhe pjesa që shkojmë në një vend me trazira.

Sa i përket pyetjes për mungesën e pesë lojtarëve, për Hysaj ju thashë që është kjo situatë e pandemisë, kështu që mendova ta le jashtë. Roshi është i dëmtuar nga informacioni që kam nga stafi mjekësor, Cikalleshi nuk është në formën e tij më të mirë, sepse nuk ka luajtur rregullisht; Balaj e njoh, nuk kam çfarë t’i shoh tjetër, kështu që vendosa ta lë në shtëpi për këtë radhë.

Ka qenë projekt i Federatës që në momentin që kam firmosur me Presidentin Duka që ne të ndërtojmë një skuadër që të synojmë Euro 2024. Sigurisht, pa lënë mënjanë edhe këto eliminatore të Nations League, por projekti final ishte për të ndërtuar një skuadër kompetitive dhe dinjitoze për 2024.

Kam menduar t’i jap hapësirë lojtarëve të rinj, kam marrë lojtarë si Molla, Broja, Vrioni, Doka, Selahi, Kallaku, Çokaj, Çekici, të cilët janë pak a shumë 20 vjeç dhe pas katër vitesh do jenë më të pjekur. Sigurisht, disa prej tyre unë i kam marrë edhe në ndeshjet e kaluara, por nuk janë aktivizuar. Në momentin që unë nuk i aktivizoj, është e kotë që t’i marr, t’i thërras dhe t’i lë në stol.

Kështu që mendova se është një moment i mirë për t’i marrë dhe për t’i ingranuar gradualisht në skuadër dhe për t’i provuar. Sigurisht, Armenia është aktualisht një vend që ka problematikat e saj, është një zonë e kuqe, por problemi im aktual është për të parë se cilët lojtarë do jenë disponibël për këto dy ndeshje. Do përpiqemi që të kemi të paktën 23-24 lojtarë, por unë do doja të kisha 27 lojtarë. Do presim edhe fundjavën për të parë se kush do luajë dhe si do shkojë situata dhe shpresojmë që deri të hënën të kemi një panoramë të qartë për grupin.

– Mister, jemi ende skuadër pretendente ende kryesore e grupit? Jemi në një fazë që nuk na lejohen më gabimet, nuk e di se si i shikon këto dy ndeshje zyrtare.

– E kam thënë që ndeshja me Lituaninë ishte një zhgënjim. Është një problem që unë e has gjithmonë me kombëtaren në aspektin psikologjik. Kur fiton një ndeshje mendon se edhe ndeshja e ardhshme do të jetë e lehtë dhe gjithmonë pësojmë zhgënjime. Duhet të përqendrohemi, e kam thënë që nuk ka ekipe të dobëta, të gjitha janë të organizuara dhe duhet përkushtim në fushë, duhet fokus. Sa i përket grupit, jemi të gjithë në të njëjtat pozita, të katër skuadrat, nisemi nga zero kështu që asgjë nuk është e kompromentuar për momentin dhe kemi ende shanse.

– Keni një skuadër shumë të re. A do të jetë e vështirë për t’i motivuar për rëndësinë e këtyre ndeshjeve?

– Janë një grup lojtarësh të rinj. Sigurisht, ai që është talent që në moshën 18 vjeç, kuptohet që do ketë një paraqitje maksimale edhe kur të jetë në moshën 30-vjeçare. Nuk kanë eksperiencë, kjo është e vërtetë. por unë shoh entuziazmin dhe i kërkoj të impenjohen në maksimum. Duhet ta shfrytëzojmë këtë karakteristikë të këtyre lojtarëve, janë të rinj që duhet të kultivohen, duhet të piqen dhe kanë nevoja për hapësira që të shfaqin edhe vlerat e tyre. Por duhet të jemi sa më shumë të përulur, duhet përulësi.

Ka lojtarë që janë edhe mendjemëdhenj dhe mendojnë që gjërat mund të arrihen shpejt e shpejt brenda një kohe shumë të shkurtër, por kjo nuk është e vërtetë. Duhet të punojnë pa pushim, duhet sakrificë, duhet të jenë të qetë dhe me këmbë në tokë, dhe duhet të pranojnë zgjedhjet e trajnerit, pra edhe kur luajnë, të jenë të kënaqur, edhe kur të mos luajnë, t’i pranojnë të gjithë zgjedhjet e stafit teknik.

– Në dy ndeshjet e kaluara, kombëtarja bëri një figurë shumë të mirë me Bjellorusinë dhe një zhgënjim pastaj me Lituaninë. A rrezikojmë sërish të ndodhin paraqitje të tilla kontraverse dhe me sa pikë do të jetë i kënaqur Reja në këto dy takime?

– Unë dua të marr maksimumin në çdo ndeshje. Nuk e di gjendjen e ekipeve kundërshtare në detaje, pra se si janë aktualisht. Sa i përket ndeshjes me Lituaninë, ne humbëm, por humbëm në mënyrën më të keqe të mundshme, pra duke bërë një paraqitje shumë të keqe. Por më duhet të theksoj se përtej humbjes me Francën, ne kemi pësuar dy humbje të tilla me Turqinë dhe Lituaninë të cilat kanë ardhur për shkak të gabimeve tona. Luajtëm ndaj Lituanisë që kishte 20 ndeshje pa fitore dhe humbëm për një gabim tonin edhe pse vinim si favoritë, por nuk e treguam për asnjë moment në fushë.

Kthehem prapë tek ajo që thashë më parë, pas çdo fitoreje, duhet të jemi të qetë, duhet të rrimë me këmbë në tokë dhe të përgatitemi menjëherë për ndeshjen tjetër dhe të mos përfshihemi nga entuziazmi. Sa i përket dy ndeshjeve të ardhshme, e kam të vështirë të bëj një parashikim të qartë sesa pikë mund të marrim, por sikur të fitonim një dhe mos të humbisnim tjetrën do të isha shumë i kënaqur dhe është e rëndësishme të ruajmë pozicionin në grup dhe të jemi gjithmonë në lojë për vendin e parë.

– A ka ndryshuar objektivat e Shqipërisë? Përpara fillimit të këtyre eliminatoreve, objektivi ishte vendi i parë. Dëgjova pak më parë që ju flisnit për vitin 2024.

Është shumë mirë që provohen këta të rinjtë, si Kallaku etj. Por a ka ardhur momenti që edhe Shqipëria të ketë një 11-she tip, siç e ka çdo vend. Ne dimë 11-shin tip të Francës, Gjermanisë, por 11-shen tip të Shqipërisë nuk po e marrim vesh kurrë prej vitesh. Ikin njerëz, vijnë njerëz. A ka ardhur momenti i tillë?

– Ne e kemi pasur një 11-sh fikse, por për shkak të situatës që është krijuar kohët e fundit sigurisht që e kam pasur të vështirë të kem boshtin e plotë të skuadrës. Do të doja të përfshija edhe Kamberin, por duke qenë se nuk patëm mundësi ta kishim në dispozicion në ndeshjen e fundit kam shumë dëshirë ta shoh në fushë dhe ta provoj.

Sigurisht, kam bërë disa ndryshime herë pas herë, nuk është se kam bërë ndryshime të mëdha nga formacioni titular, 2-3 lojtarë. Kam marrë sigurisht të rinj, por i kam marrë edhe për miqësoren. Nëse ata do të bëjnë një paraqitje shumë të mirë në miqësore atëherë sigurisht që unë mund t’i fus në fushë edhe për dy ndeshjet e tjera. Duhet të më bindin që të mund të luajnë edhe në dy ndeshjet e tjera, por e kam 11-shin fiks, kam bërë edhe pak ndryshime, me përjashtim të Veselit e Mihaj-t që kanë bërë njëfarë rotacioni, por jam shumë kurioz të shoh edhe Kumbullën në fushë, që ta kem këtë radhe dhe ta provoj.

Është i njëjti formacion pak a shumë, nuk ka shumë ndryshime, janë lojtarë si Manaj, Cikalleshi që kanë luajtur vazhdimisht dhe që kanë bërë një farë rotacioni në sulm. Pastaj kemi Brojën dhe Vrionin të cilët janë paraqitur shumë mirë dhe më duken në formë të mirë, kështu që mendova t’i jap një mundësi që t’i provojmë. Ndërsa për pjesën tjetër, është pak a shumë po e njëjta panoramë; Memushaj ka pasur probleme fizike dhe do të mungojë, por sa i përket mbrojtjes, shoh një grup të mirë dhe që ka vlera. Por siç e thashë, do të vlerësoj edhe pjesën e projektit të se ardhmes për 2024, kështu që e kam të nevojshme të provoj shumë lojtarë të rinj.

Sa i përket objektivave, e thashë që nuk kanë ndryshuar. Ne jemi po në të njëjtat pozita, nisemi nga zero, kemi të gjithë pikë të barabarta në grup, kështu që çdo gjë nis nga e para. Nëse sigurisht bëjmë një paraqitje të mirë, do të mundohemi të marrim maksimumin. Nëse nuk ia dalim dot pastaj, shohim përpara. Por problemi më i madh është gjendja e lojtarëve, të cilët mezi pres t’i shoh.

Janë gati 10 lojtarë të cilët mund të ndryshojnë skuadër gjatë merkatos. Unë pres që të mbyllet merkato dhe të kem një panoramë të qartë se ku do të shkojnë lojtarët dhe do të jem ndoshta më i qetë. Por kemi siç e thashë Baren dhe disa lojtarë të cilët kanë lëvizur, por për fat të keq nuk është se kanë luajtur. Pra, nuk e di fare se në ç’formë fizike janë sepse nuk kanë bërë ndeshje. E njëjta situatë është edhe me Manaj, i cili pret të transferohet sa më shpejt, por edhe ai nuk ka luajtur. Është një moment i veçantë dhe i vështirë, sidomos për kombëtaren, sepse i kemi lojtarët të shpërndarë në të gjitha vendet.

Nuk jemi si Italia që i ka të gjithë lojtarët aty dhe nuk ka probleme të tilla. Ne i kemi të shpërndarë në vende të ndryshme, një pjesë e lojtarëve nuk është se kanë luajtur dhe mund të mos jenë në formë. Ndërkohë që do përballemi me Lituaninë dhe Kazakistanin të cilat janë skuadra që nuk e kanë një problem të tillë me lojtarët e tyre. Kanë lojtarë që luajnë rregullisht në kampionatet e tyre, janë në formë të mirë dhe janë krejt ndryshe nga ne. Gjasula gjithashtu ka ndryshuar skuadër, vetëm portierët nuk kanë ndryshuar skuadër. Pothuajse të gjithë lojtarët kanë ndryshuar dhe e kanë ndryshuar gjatë kësaj periudhe merkatoje.

Është situata e Cikalleshit i cili ka ndryshuar skuadër dhe nuk ka luajtur dhe nuk është në formë të mirë. Dhe po ashtu edhe Dermaku i cili mund të ndryshojë skuadër këto ditë; Kumbulla ka ndryshuar skuadër dhe është për t’u parë. Dhe ky moment i merkatos ndikon te lojtarët, sepse nuk janë shumë të përqëndruar te loja, por të gjërat e tjera që nuk kanë të bëjnë me fushën. Edhe Mihaj dhe Veseli kanë ndryshuar.

Kam vështirësi, sepse siç e thashë, lojtarët nuk janë në formën duhur. Nuk dua të gjej justifikime, nuk ka justifikime kur humbet, por siç e thashë është një moment shumë i vështirë për të punuar. Do përpiqem të ulem me skuadrën, të flas, të shoh gjendjen e tyre dhe do përpiqemi të kemi një ekip sa më të bashkuar për të përballuar si duhet këto tre ndeshje.

– Mister, kush do të jetë kapiteni juaj në këto ndeshje duke qenë se mungon Roshi dhe Hysaj dhe ju përmendni Cikalleshin që nuk ka luajtur por në fakt vjen me dy ndeshje dhe sot ka një tjetër me Koniasporin, luajti edhe kundër Beshiktashin. Në raport me Manaj dhe Vrionin, që Manaj faktikisht është pa ekip dhe Vrioni që vetëm stërvitet me skuadrën e Juventusit 23. Mund të jeni më i drejtëpërdrejtë pse mungon Cikalleshi në këtë listë?

– Sa i përket kapitenit, dihet që kur mungon Hysaj, kapiteni i skuadrës është Berisha. Kjo është një çështje e zgjidhur dhe mund të them që edhe Cikalleshin e shoh si një lojtar që mund të jetë një kandidat në të ardhmen, pasi ka vite që luan me skuadrën dhe ka goxha ndikim te skuadra.

Sa i përket kapitenit, zgjidhja i përket lojtarëve të cilët e kanë votuar për Hysaj dhe vendosin ato për liderin e tyre. Për Cikalleshin, unë e thashë edhe pak më parë, megjithatë po shtoj edhe diçka tjetër. Unë kam folur me të, nuk është në top formë, nuk ka luajtur 90 minuta, ka luajtur një pjesë dhe pak minuta në ndeshjen e fundit. Kështu që nëse ai vazhdon të aktivizohet rregullisht, patjetër që mund ta konsideroj për ndeshjet e nëntorit.

x