Rizvanolli: Propozimi i ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës s’është final

19.01.2022 17:31

Rizvanolli: Propozimi i ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës s’është final

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës nuk është final.

Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, ministrja Rizvanolli tha se do të kërkojnë sqarime shtesë dhe do të japin propozime aty ku mendojnë se gjërat mund të bëhen më mirë.

“Propozimi i ZRRE-së nuk është final. Ai është në diskutim publik. Ne do ta trajtojmë raportin. Do të kërkojmë sqarime shtesë dhe do të japim edhe propozime për ato ku mendojmë se gjërat mund të bëhen më mirë. Mirëpo një gjë është e qartë dhe ka qenë e qartë edhe para se ta shohim këtë raport”, tha ajo.

Ministrja përsëriti njoftimin se kostot e importit të energjisë elektrike janë rritur shumë, ndërsa tha se subvencionimi nga Qeveria është i pashmangshëm.

Rizvanolli tha se ndihma e Qeverisë do ta zbusë shtrenjtimin e rrymës, ndërsa theksoi se Ekzekutivi nuk mund të ndërhyjë në vendimet e ZRRE-së.

“Qeveria nuk miraton, as nuk ka përgjegjësi në vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe ndërhyrja në vendimet e tyre do të ishte e jashtëligjshme. Mirëpo ne zotohemi se çfarëdo vendimi që ZRRE-ja do ta marrë, ne do të përkushtohemi të ndihmojmë përmes instrumenteve që i kemi në dispozicion për të siguruar sigurinë e furnizimit me energji elektrike, mbrojtjen e konsumatorëve – në radhë të parë atyre që e shfrytëzojnë energjinë elektrike racionalisht sipas nevojës – si dhe në mbrojtje të vendeve të punës”, tha ajo.

x