Rreth 10 për qind më pak fletëvotime se sa votues për zgjedhjet e 17 tetorit

30.09.2021 15:25

Rreth 10 për qind më pak fletëvotime se sa votues për zgjedhjet e 17 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se tashmë ka përfunduar shtypja e fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Për këtë proces zgjedhor janë shtypur rreth 10 për qind më pak fletëvotime se sa numri i qytetarëve me të drejtë vote.

Por nga ky institucion sigurojnë që fletëvotime nuk do të mungojnë në ditën kur qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e komunave dhe anëtarët e Kuvendeve Komunale.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka bërë të ditur se për zgjedhjet lokale të 17 tetorit janë 3 milionë e 397 mijë e 200 fletëvotime. Ndërsa, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë e 448.

“Ka përfunduar shtypja e fletëvotimeve, të cilat do të përdoren për zgjedhjet e 17 tetorit për zgjedhjet për kryetar të komunave. Janë shtypur 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime dhe po kaq janë shtypur edhe për zgjedhjet për kuvende komunale. Pra, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të cilat janë shtypur për dy llojet e zgjedhjeve të 17 tetorit është 3 milionë e 397 mijë e 200 fletëvotime. Vendimi i KQZ-së për t’u shtypur kaq fletëvotime mbështetet në listën përfundimtare të votuesve sipas të cilës numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda Kosovës është 1 milion e 885 mijë e 448 votues”, tha zëdhënësi i KQZ-së.

Elezi tha se edhe në këto palë zgjedhje KQZ ka ndjekur praktikën për të shtypur më pak fletëvotime, por ai ka siguruar se askujt nuk do t’i mohohet e drejta e votimit pasi fletëvotime do të ketë mjaftueshëm në vendvotime.

“Sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i bie që janë shtypur 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se votues apo 9.91 për qind më pak fletëvotime sesa numri i votuesve. Kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore dhe as atëherë, por as tani natyrisht se nuk ka pasur dhe do të ketë mungesë të fletëvotimeve në vendvotime”, tha Elezi.

Fletëvotimet për zgjedhjet e 17 tetorit janë shtypur në Slloveni, ndërsa arritje e tyre në Kosovë do të bëhet në një kohë të caktuar.

“Fletëvotimet, të cilat janë shtypur në Slloveni do të vijnë në Kosovë brenda një kohe të caktuar dhe të njëjtat pastaj sipas planit operacional shpërndahen nëpër të gjitha vendvotimet në Kosovë një ditë para ditës të zgjedhjeve. Pra, fillimisht bëhet shpërndarja nga depoja qendrore e KQZ për në depot e Komisioneve Komunale në çdo komunë të Kosovës. Ndërkaq, në ditën e zgjedhjeve në orët e hershme të mëngjesit më 17 tetor bëhet shpërndarja e tyre në të gjitha vendvotimet”, u shpreh Elezi.

Më 15 qershor të këtij viti, presidentja e Kosovës shpalli si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale 17 tetorin, pas konsultimeve që zhvilloi me partitë politike.

x