Rukiqi: Tubimet elektorale po i bëjnë të pavlera të gjitha masat anti-COVID

10.01.2021 21:58

Rukiqi: Tubimet elektorale po i bëjnë të pavlera të gjitha masat anti-COVID

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar pas tubimeve që po bëjnë partitë politike.

 
Ditëve të fundit janë parë mjaftë tubime elektorale të partive politike në vend, kështu duke i thyer të gjitha rregullat dhe masat kundër përhapjes së koronavirusit.

Për këtë, ka reaguar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Rukiqi, ka shkruar se këto tubime po i bëjnë të pavlera të gjitha masat kundër përhapjes së koronavirusit.

Sipas tij, duke u bazuar në këto tubime, nuk ka se si të arsyetohet ndalimi i organizimeve të ahengjeve apo edhe kufizimi i orarit të lëvizjes.

“Tubimet e fundit elektorale, me dhjetëra persona në hapësira të mbyllura, i bëjnë të pavlera, të gjitha masat kufizuese, për parandalimin e pandemisë. Si mund të arsyetohet, tash e tutje, ndalesa për organizimin e ahengjeve dhe ngjarjeve? Si mund të arsyetohet kufizimi i orarit të punës?? Politikanët edhe qytetarët e tjerë janë të barabartë para ligjit. Hipokrizi e llojit të vet është që të njëjtit që premtojnë sundim të ligjit, të vazhdojnë natën dhe ditën të shkelin ligjin”, ka shkruar Rukiqi, raporton lajmi.net.

 
E në lidhje me tubimet elektorale, ka reaguar edhe kryetari i shoqatës së gastronomëve, Petrit Kllokoqi, i cili ka thënë se përderisa për gastronominë janë shqiptuar mbi pesë mijë gjoba, për partitë politike dhe politikanët ende asnjë ndëshkim nuk është bërë.

Në anën tjetër, drejtori i Inspektoratit komunal të Prishtinës, Adonis Tahiri, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se në Prishtinë do të gjobiten deri në dy mijë euro secila parti që bën tubime me qytetarët.

Lexo edhe: 

Theksojmë se në bazë të fotografive që partitë politike po i publikojnë në rrjetet sociale, vërehet qartë që nuk respektohet distanca, qytetarët nuk bartin maska, e madje në shumë raste ka edhe shtrëngim duarsh.

x