Sarri “thumba” Juves: Titullin tim e nënvlerësuan, me pas festuan vendin e katërt

06.07.2021 21:10

Sarri “thumba” Juves: Titullin tim e nënvlerësuan, me pas festuan vendin e katërt

Në prag të nisjes së aventurës në stolin e Lazios, Maurizio Sarri është rikthyer të flasë, duke komentuar titullin kampion me Juventusin, marrëdhëniet me drejtuesit e klubit bardhezi, por edhe eksperiencën te Chelsea, për të cilën thotë se ka peng që është larguar.

Tekniku shprehet se ka mbetur shumë i zhgënjyer që nuk u festua aspak titulli kampion te Juventusi, teksa thumbon bardhezinjtë, kur u kujton që këtë herë festuan edhe arritjen e vendit të katërt.

Titulli kampion me Juventusin – Të gjithë e jepnin për të sigurt atë titull dhe më vjen shumë keq që në fund të sezonit nuk u organizua asnjë festë. Gjithsecili darkoi në mënyrë private pas atij titulli, ndërsa këtë sezon ishte koha e duhur, pasi i pashë të festonin për arritjen e vendit të katërt.

Marrëdhënia me bardhezinjtë – Në mes të tetorit pata një mbledhje me stafin tim dhe tema e diskutimit ishte kjo: të ndiqnim idetë tona dhe të shkarkoheshim për një muaj, apo të bënim ndonjë kompromis dhe të provonim të fitonim titullin, duke e ditur që do të largoheshim gjithsesi në fund të sezonit. Zgjodhëm rrugën e dytë dhe ia dolëm të fitojmë.

Zërat për një sherr me Nedved pas humbjes ndaj Udineses – Nuk jemi kapur me duar, por ishte një debat normal nga ata që ndodhin pas një ndeshjeje. Sjellja e skuadrës nuk më pëlqeu në atë takim, pasi nuk duhet të ulim vigjilencën edhe me titullin praktikisht të fituar.

Keqardhje për largimin nga Chelsea – kam bërë një gabim shumë të madh që lashë londinezët pas vetëm një sezoni, ku triumfuam edhe në Europa League, megjithatë ishte një vendim i marrë nga dëshira e madhe për t’u rikthyer në Itali. Londinezët janë një klub i madh në të gjitha drejtimet, por në kohën kur isha unë, presidentit nuk i lejohej hyrja në Angli dhe situata ishte pak e ndërlikuar. Më vonë morën shumë futbollistë të rinj, që janë idealë për idetë e mia të lojës, ndaj më vjen keq që u largova aq shpejt.

Rikthimi te Napoli – Më kanë kërkuar informacion dimrin e kaluar, nëse isha gati të rikthehesha, por refuzova, pasi nuk e shoh veten shumë i përshtatshëm për të drejtuar një ekip duke e marrë në mes sezoni. Si Napolit, ashtu edhe klubeve të tjera u thashë se jam gati të rikthehem vetëm në verë. Spallettit i uroj suksese, pasi me De Laurentiis është pak e vështirë të punosh, por arrihen rezultate.

Titulli i humbur me Napolin – Ishim në hotel në Firence, para ndeshjes me Fiorentinën dhe ndoqëm ndeshjen Inter-Juventus. Kur pamë gjithë ato episode dhe si rrodhi ndeshja, futbollistët u dëshpëruan shumë. Kur po ngjitesha për në dhomë, pashë futbollistët duke qarë nëpër shkallë, pasi kishin kuptuar se me ato episode të diskutueshme, kishte marrë fund një ëndërr.

x