​SHBA do të vazhdojë partneritetin e fuqishëm me FSK-në

25.05.2022 20:57

​SHBA do të vazhdojë partneritetin e fuqishëm me FSK-në

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj është pritur sot në takim nga ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Jeffrey M. Hovenier me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale.

Përveç diskutimit mbi situatën e sigurisë, ministri Mehaj ambasadorit Hovenier i shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e pazëvendësueshme për Kosovën në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e gjithmbarshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Gjithashtu, ministri Mehaj ritheksoi faktin se mbështetja e SHBA-së është jetike në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së.

Ai gjatë takimit njoftoi diplomatin amerikan për nivelin e përgatitjeve për stërvitjen “Defender-Europe’23” në koordinim me SHBA dhe vendet tjera aleate, si dhe vullnetin e gatishmërinë e plotë për pjesëmarrje në operacionet e përbashkëta paqeruajtëse.

Ndërsa, ambasadori Hovenier premtoi se SHBA përmes bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Iowa-s dhe programeve tjera do të vazhdojë partneritetin e fuqishëm me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.

x