Shifrat e bëjnë Thomas Mullerin legjendë, për të koha ka ndalur

13.09.2020 12:32

Shifrat e bëjnë Thomas Mullerin legjendë, për të koha ka ndalur

Të pasionuarve të futbollit do t’u ketë ndodhur shpesh të kenë gabuar moshën e Thomas Mullerit. Sepse emri i kampionit gjerman lidhet me trofetë e shumtë të fituar me fanellat e Bayernit të Mynihut dhe Gjermanisë. Janë shumë tituj për një lojtar që fryn sot vetëm 31 qirinj mbi tortën e ditëlindjes: një karrierë që tashmë duket sikur është shumë më e gjatë, por që ende mund t’i japë shumë futbollistit të lindur në vitin 1989.

Sezoni i fundit (fitoi tripletën) ishte thjesht i shkëlqyeshëm nga pikëpamja e fitoreve: në moshën 31-vjeçare Muller tashmë ka fituar një Kupë Bote, dy Champions, nëntë kampionate (Bundesliga), gjashtë Kupa të Gjermanisë, një Botëror për Klube, një Superkupë të Europës dhe pesë Superkupa të Gjermanisë.

Dhe të mendosh që sezoni që sapo përfundoi kishte filluar në mënyrën më të keqe për lojtarin e lindur në Weilheim. Mosmarrëveshjet me trajnerin Kovac praktikisht e kishin lënë atë jashtë projektit të ekipit dhe me valixhen gati.

Për të disatën herë, megjithatë, Muller zgjodhi të qëndronte në ekipin që e rriti dhe me emërimin e Hansi Flick trajner i parë u shndërrua element i domosdoshëm në modulin 4-2-3-1. Një lojtar perfekt nga pikëpamja taktike, fenomenal në lëvizjet pa top, cinik në zonë dhe i jashtëzakonshëm në tërheqjen pas të mbrojtëse.

Një lojtar atipik në nivelet më të larta: jo shumë harmonik në lëvizjet e tij, pothuajse “i ngathët” në realizimin e veprimeve të caktuara teknike, por me një efektshmëri të jashtëzakonshme, me atë aftësi të lindur për t’u gjendur gjithmonë në vendin e duhur, në kohën e duhur.

“A më keni parë se si lëviz? Këmbët e gjata, krahët e hollë, pak të çrregullt. Më vjen për të qeshur kur shoh veten time,” –  është shprehur Muller, duke iu referuar mënyrës së tij të çuditshme të të qenit në fushë.

Sidoqoftë, për Muller janë domethënëse shifrat.  Pas një epoke si një golashënues i spikatur me klubin dhe ekipit kombëtar, është specializuar në asistimet për shokët e tij të skuadrës: 21 në kampionatin e fundit, një rekord absolut në historinë e Bundesligës (u tejkalua De Bruyne, që kishte shërbyer 20 herë për gol kur luante me Wolfsburgun). Gjithmonë arrin numër dyshifror kur bëhet fjalë për t’u shërbyer shokëve të tij të skuadrës (përjashtimi i vetëm, sezoni 2015/16).

Shifrat gjithmonë ka qenë miqësore me gjermanin, që në shekullin e 21-të ka fituar 73,6% të ndeshjeve, (391 në 531 sfida), duke u renditur i dhjeti në klasifikimin e të gjitha kohërave.

Ai hyri shumë herët në klubin e më të mëdhenjve të Bayernit. Ai fëmijë i dobët dhe i pakoordinuar ka arritur statistika të frikshme gjatë dekadës së fundit: një karrierë e aftë për “të ndryshuar kohën”, e cila, në rastin e tij, duket se pothuajse është ndalur. Ka ende shumë vite para për karrierën e tij futbollistike, por ka fituar gjithçka. Vetëm 31 vjeç, por Thomas Muller është tashmë një legjendë.

x