Shtohen polemikat për rikthimin e Robinhos, kërkohet bllokimi i aktivizimit të tij

15.10.2020 17:42

Shtohen polemikat për rikthimin e Robinhos, kërkohet bllokimi i aktivizimit të tij

Shtohen polemikat për rikthimin në atdhe të Robinho-s, mbi të cilin rëndon një dënim për përdhunim në Itali, në vitin 2017. Drejtuesit e Santosit këmbëngulën me forcë për të rikthyer në gjirin e ekipit pikërisht yllin e dikurshëm të skuadrës, sulmuesin e mirënjohur të përfaqësueses braziliane Robson de Souza, apo siç quhet ndryshe Robinho, por tani me sa duket është koha që krerët e klubit paulist të vuajnë pasojat.

Robinho rikthehet në qendër të vëmendjes, këtë herë jo më për arritjet e tij në një ndeshje futbolli por për bëmat jashtë fushave të lojës. Robinho ka hapur polemika të mëdha me rikthimin e tij te klubi ku hodhi hapat e para, madje lajmi për kthimin e veteranit paulist pikërisht në radhët e klubit që e bëri të famshëm ka indinjuar pa masë mbarë opinionin publik.

Pak ditë më parë 36-vjeçari nga Sao Vicente firmosi një kontratë 5-mujore me drejtuesit e Santosit, megjithatë siç dihet mbi të vazhdon të qëndrojë pezull dënimi i shkallës së parë, për përdhunimin e një vajze me origjinë shqiptare, masë e marrë në vitin 2017 nga Gjykata e Milanos, pas shqyrtimit të akuzave që rëndonin mbi futbollistin e famshëm brazilian, në lidhje me një ngjarje të ndodhur në vitin 2013, kur Robinho aktivizohej në radhët e klubit të Milanit.

Mediat dhe opinioni publik kanë reaguar me tone të forta, duke kritikuar ashpër drejtuesit e Santosit, në lidhje me vendimin për të rikthyer në skuadër një lojtar me probleme të tilla. Pas kritikave të shumta tani kanë filluar edhe veprimet konkrete, që po e vendosin klubin e mirënjohur paulist gjithmonë e më në vështirësi. Pasojat e para filluan të ndihen në mënyrë të drejtpërdrejtë në aspektin financiar, sepse pas presionit të madh të opinionit publik klubi bëhet gati të humbasë njërin prej sponsorëve kryesorë.

Të mërkurën në mbrëmje sponsori që vendoste emrin brenda numrave të futbollistëve nëpër fanella vendosi të tërhiqej përfundimisht. Firma që mbulonte diçka më pak se 10% të të ardhurave të përgjithshme, nga përfitimet e klubit nëpërmjet mbështetjes së sponsorëve të ndryshëm, vendosi që të zgjidhë në këtë mënyrë përfundimisht kontratën me drejtuesit e Santosit. Në një komunikatë të bërë zyrtare drejtuesit e këtij sponsori deklaruan se pavarësisht historisë dhe respektit për klubin e mirënjohur paulist përsëri u arrit në prishjen e detyrueshme të kontratës.

Sipas krerëve të këtij sponsori ky ishte një gjest i pashmangshëm dhe i detyrueshëm, për shkak të ndjeshmërisë së madhe që transmeton vetvetiu një çështje e tillë kundrejt publikut femëror dhe të drejtave të pakundërshtueshme të kësaj shtrese të gjerë. Krerët e Santosit u munduan menjëherë për të reaguar, duke nxjerrë në pah impenjimin e madh nga ana e tyre për luftën kundër dhunës në familje dhe betejën për të respektuar të drejtat e grave, por në fakt gjithçka rezultoi e kotë.

Ndërkohë janë të shumtë edhe sponsorët e tjerë që reaguan pa humbur kohë, natyrisht të pakënaqur nga dëmtimi i imazhit dhe vënia e emrit të tyre përbri atij të Robinho-s. Nuk ka munguar gjithashtu edhe një ankesë zyrtare e paraqitur në Gjykatën e Lartë Sportive nga ana e 13 organizatave të ndryshme që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave. Gjatë kohës që sponsorët po mendojnë për t’u larguar një e nga një, ka edhe nga ata që po bëjnë çmos për të ndalur zbritjen në fushë të sulmuesit 36-vjeçar, duke kërkuar madje edhe përjashtimin e lojtarit nga regjistri zyrtar i futbollistëve të federuar, në bazë të normave të përcaktuara qartë në lidhje me rregulloren disiplinore të lojtarëve profesionistë.

Në aspektin juridik dosja e tij është akoma e hapur, siç vë në dukje edhe vetë pala mbrojtëse, që apeloi menjëherë çështjen pas dënimit të Robinho-s nga ana e Gjykatës së Milanos, sidoqoftë pavarësisht vonesave, shtyrjeve dhe ndërprerjeve të shumta gjithçka mund të qartësohet brenda këtij viti, duke patur parasysh që seanca e radhës është përcaktuar të mbahet më datën 10 dhjetor.

x