Southgate flet pas arritjes në gjysmëfinale: Është përrallore për vendin tonë

04.07.2021 10:38

Southgate flet pas arritjes në gjysmëfinale: Është përrallore për vendin tonë

Anglia ka vazhduar shkëlqimin në këtë Kampionat Evropian, ku ka marrë një fitore spektakolare në çerekfinale.

‘Tre Luanët’ kanë mposhtur Ukrainën me rezultat të thellë 4-0 për të kaluar në gjysmëfinale të Euro 2020.

Pas ndeshjes trajneri Gareth Southgate ka folur për futbollistët e tij duke i lavdëruar të gjithë ata që luajtën, por nuk harroi t’i përmend edhe lojtarët që nuk kanë luajtur fare këtë edicion.

“Lojtarët kanë qenë fantastikë. Të luash mirë në një ndeshje me kaq shumë ndalesa ishte impresionuese. Është një ndeshje e çuditshme. Mendoj se djemtë që futen në fushë si zëvendësues si dhe ata që nuk u aktivizuan si Coady, Chilwell, Johonston, Ramsdale, e bëjnë këtë ekip të suksesshëm. Shpirti i grupit është fenomenal”.

“Është e vështirë të lësh tre vetë jashtë liste para ndeshjes. Mentaliteti i skuadrës është fantastik. Kjo është më e rëndësishme në mendjen time”, tha Southgate.

“Po shpenzoj më shumë energji për të vendosur për tre lojtarët që mbeten jashtë, pasi të gjithë janë lojtarë të mirë. Asnjë prej tyre nuk e meriton të lihet në tribunë. Të gjithë po japin diçka në stërvitje. Asnjë prej tyre nuk lihet jashtë sepse nuk është në nivel, por vetëm sepse duhet të marrim një vendim. Të gjithë lojtarët kanë qenë të shkëlqyeshëm”, vazhdoi tutje trajneri anglez.

Numri një i shtabit teknik të Tre Luanëve ka thënë se është përrallore arritja në gjysmëfinale, por që ata synojnë më shumë.

“Është përrallore. Kemi arritur një tjetër gjysmëfinale. Duam të shkojmë dy hapa më tej. E di se çfarë do të ndodhë në shtëpi. Është e mrekullueshme t’i shohësh të gjithë një natë të shtune, me birra në duar”.

“Ata duhet ta shijojnë këtë. Ka qenë një vit i gjatë për të gjithë. Mendoj se këto ndeshje u kanë dhënë shumë lumturi njerëzve. Është përrallore për vendin tonë, një gjysmëfinale në Wembley. Të gjithë mezi e presin këtë, është brilante”, deklaroi Southgate.

Në gjysmëfinale Anglia do të përballet të mërkurën me Danimarkën.

x