Sqaron Qeveria: Vendimi për kërkim të testit për COVID-19 mbetet në fuqi, sot u vendos për hapjen e disa pikave kufitare

14.08.2020 19:17

Sqaron Qeveria: Vendimi për kërkim të testit për COVID-19 mbetet në fuqi, sot u vendos për hapjen e disa pikave kufitare

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, mori vendim për hapjen e kufijve shtetërorë me vendet fqinje.

Qeveria mori vendim për hapjen e kufijve me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Republikën e Serbisë.

Por, një vendim i tillë ka shkaktuar huti në opinion, duke menduar se Qeveria e Kosovës ka hequr vendimin për  kërkim të testeve për COVID-19 për qytetarët që hyjnë në territorin e Kosovës.

Qeveria ka sqaruar se vendimi i sotëm ka të bëjë me hapjen e disa pikave të caktuara kufitare.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të 24-të, ndër të tjera, ka miratuar edhe vendimin për hapjen e kufijve shtetërorë të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Republikën e Serbisë.

Për të shmangur paqartësitë eventuale, sqarojmë se ky vendim ka të bëjë vetëm me hapjen e disa pikave të caktuara kufitare me këto vende, me qëllim të lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve, mirëpo kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se janë hequr masat dhe protokollet e deritanishme kundër pandemisë COVID 19”, thuhet në sqarimin e Qeverisë.

Qeveria ka bërë të ditur se vazhdojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat që janë miratuar më parë sa u përket hyrje-daljeve në territorin e vendit tonë. /Telegrafi/

 

x