Tahiri flet për synimet e AAK-së në Podujevë, harton listën garuese për Kuvendin Komunal

16.08.2021 19:36

Tahiri flet për synimet e AAK-së në Podujevë, harton listën garuese për Kuvendin Komunal

Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, Besnik Tahiri, ka thënë se tashmë kanë hartuar listën garuese për Kuvendin Komunal për zgjedhjet e 17 tetorit.

Ai ka thënë se kjo listë garuese është përgjigje e nevojës për transformim të thellë, të angazhimit politik dhe qasjes qeverisëse.

Përmes një shkrimi në Facebook, Tahiri ka thënë se përfaqësimi në listën garuese reflekton në tri dimensione.

“E para, 60% e listës përbëhet nga prurjet, kuadrot e reja, ku me konsensus i kemi vendosur në 20-të të parët, si vlerësim për profesionalizëm edhe tregues i vullnetit e hapjes për kuadro e të rinjtë. E dyta, kemi ofruar shembullin e parë të përfaqësimit real të shoqërisë në lista garuese për zgjedhjet lokale 50% gra, 50% burra, me bartëse liste grua. E treta, përveç profesionistëve të fushave, përfaqësimit të barabartë gjinor, kemi ofruar në listë, personalitete të vlerësuara me kontribut në komunitet dhe sfera të ndryshme të angazhimit”, ka shkruar ai.

Tahiri ka thënë se së bashku me garuesit në listën e prezantuar synojnë platformën zhvillimore për “Podujevën 2025”, duke u përqendruar në zhvillim e punësim, mobilizimin e potencialit profesional dhe promovimin e të rinjve dhe përfaqësimin e drejtë gjinor dhe rritjen e kohezionit social.

x