Tension mes themeluesve të Superligës, Reali, Barça dhe Juvja kërkojnë dëmshpërblim

07.05.2021 21:10

Tension mes themeluesve të Superligës, Reali, Barça dhe Juvja kërkojnë dëmshpërblim

Rritet tensioni i brendshëm mes skuadrave që tentuan themelimin e Superligës së Europës. Reali i Madrid, Barcelona dhe Juventusi mësohet se po përgatisin padinë për të kërkuar dëmshpërblim të majmë nga klubet që kanë vendosur të tërhiqen nga projekti me argumentin se kanë shkelur marrëveshjet e nënshkruara midis themeluesve.

“New York Times” raporton se Perez, Laporta dhe Agnelli u kanë dërguar një letër kolegëve të tyre “dezertorë”, duke i kërcënuar me veprime ligjore nëse ata u qëndrojnë besnikë UEFA-s.

Juvja, Barça dhe Reali këmbëngulin se braktisja e projektit përbën “shkelje të marrëveshjeve” dhe se nënshkrimi i mundshëm i një marrëveshjeje me UEFA-n mund të çojë në një betejë të vërtetë ligjore.

Klima mbetet shumë e tensionuar edhe nga fakti që presidenti i UEFA-s, Ceferin, tashmë e ka bërë të ditur se klubet që “pendohen” do të marrin një trajtim shumë të ndryshëm nga ato që do të vazhdojnë në rrugën e tyre.

Skuadrat që nuk i binden UEFA-s mund të rrezikojnë një skualifikim deri dyvjeçar nga garat europiane, pavarësisht se FIFA, nëpërmjet presidentit Infantino, është munduar të ulë tonet, duke deklaruar se është kundër ndëshkimeve të ashpra.

x