Vajza e Anton Çettës emërohet Drejtoreshë e Parqeve në Prishtinë

19.01.2022 20:25

Vajza e Anton Çettës emërohet Drejtoreshë e Parqeve në Prishtinë

Prishtinasit, për katër vjetët e ardhshëm, do të kenë zyrtarë komunalë më ndryshe se herave të tjera.

Veçantia e kabinetit aktual të Komunës së Prishtinës është Donika, e cila është vajza e pajtuesit të gjaqeve, Anton Çettës, e cila do të menaxhojë Drejtorinë e Parqeve. Ndërsa, Doruntina Maloku, e bija e gazetarit Enver Maloku, do të drejtojë Drejtorinë e Pronave.

LDK-ja pa pozitë këtë herë nuk e la as ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Izet Sadiku, që do të jetë drejtor i këtij dikasteri në nivel lokal. E ish-anëtari i KQZ-së nga radhët e LDK-së, Florian Dushi, do të jetë në krye të inspektoratit në Prishtinë.

Kryetari i tanishëm, Përparim Rama, nuk i ka ikur profesionit të tij, meqë për drejtor të urbanizmit e ka zgjedhur arkitektin e njohur Arbër Sadiki.

Valbona Makolli, e cila ishte drejtoreshë e Financave në kohën e Shpend Ahmetit, do të vazhdojë të jetë sërish në të njëjtën pozitë edhe te Rama.

Kurse, shef të Kabinetit të Kryetarit, Rama e ka zgjedhur Vllaznim Osmanin, i cili ishte pjesë e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Javën tjetër pritet të bëhet e ditur pjesa tjetër e kabinetit të Komunës së Prishtinës, pasi Partia Demokratike e Kosovës akoma nuk i ka publikuar drejtorët nga radhët e saj.

x