Xhavit Haliti e pyet Bislimin “a ke pirë kafe ndonjëherë me Petkoviqin”

23.05.2022 17:10

Xhavit Haliti e pyet Bislimin “a ke pirë kafe ndonjëherë me Petkoviqin”

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi do të donte një kryenegociator më të moshuar dhe më me eksperiencë nga pala serbe në dialog. Ai tha se nuk ka pirë kurrë kafe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

Bislimi për këtë të fundit në Komisionin për Punë të Jashtme u pyet nga deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.

“Ajo që do të më interesonte mua dhe ndoshta të gjithëve. Në takimet që i zhvilloni, a bisedoni ndonjëherë delegacionet kështu shlirë apo vetëm përmes atij.. Z. Lajçak, apo uleni edhe në tavolinë me pi kafe dhe me u mundu me e bindë njëri-tjetrin për këto çështje për të cilat keni bisedu”, e pyeti Haliti.

Ndërsa përmendi disa takime që tha se kanë qenë “pakëz të tensionuara”, Bislimi e përshkroi rolin e Petkoviqit në bisedime.

 
“Nuk kemi pasë kurrë asnjë kafe të përbashkët apo si thatë ju me bisedu haptas me palën serbe për arsye se numri i takimeve ka qenë i vogël dhe kanë qenë pakëz të tensionuara. Por edhe mendoj që ekziston një arsye për këtë. Z. Petkoviq nuk është i pajisur me kompetencë për me marrë vendime, dhe rrjedhimisht është problem me të me diskutu për arsye se ai vetëm i regjistron ato dhe pastaj konsultohet me Beogradin. Nuk ka autorizim për të negociuar dhe arritur marrëveshje”, tha ai.

Bislimi tha se ky është “obstruksion i vetë procesit”. Ai përmendi moshën e Petkoviqit si një arsye për mosusksesin e dialogut.

“Mendoj që me pasë qenë dikush që është pak më në moshë dhe më me eksperiencë, ndoshta edhe procesi kish me qenë më konstruktiv dhe më produktiv”, tha Bislimi.

x